Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) çështjen ndaj katër ish-zyrtarëve të implikuar në ushtrimin e ndikimit të paligjshëm gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Të pandehur në këtë proces janë Dritan Stoka, Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv ndaj funksionarëve publikë, si dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm mbi persona me funksione publike.
Sipas SPAK, Dritan Stoka dhe Agim Osma kanë nxitur persona të ndryshëm që të përgatisnin lista zgjedhësish dhe të ushtronin presion mbi votuesit, duke u ofruar përfitime të paligjshme si ruajtjen e vendeve të punës apo dhënien e lejeve për legalizime të ndërtimeve pa leje.
Ndërkohë, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, në cilësinë e juristit dhe ndërmjetësit, akuzohen për ndikim në procesin e legalizimit të ndërtimeve në favor të individëve të caktuar, në këmbim të përfitimeve materiale.